Patenta me pikë, ja si do të funksionojë sistemi

patenta me pike

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor informon mbi mënyrën e funksionimit të Lejes së Drejtimit me pikë. Sipas kësaj drejtorie, çdo drejtues automjeti i jepen në total 20 pikë, te cilat në rast shkelje mund të ulen deri në 0 pikë, ose të rriten, maksimumi deri në 30 pikë kur plotësohen disa kritere. DPSHTRR sqaron se ulja e pikëve pasqyrohet në mënyrë elektronike në rregjistrin kombëtar.

Ulja e pikëve:
Në rast të shkeljeve së normave të sjelljes patenta pëson zbritje të pikëve sipas tabelës së përcaktuar nga VKM-ja përkatëse. Zbritja e pikëve në rregjistrin kombëtar të drejtuesve të automjeteve (pranë DPSHTRR) bëhet vetëm në rastet kur është e formës së prerë si vendim. Organi i cili heq pikët në lejen e drejtimit (Policia rrugore) duhet të ketë njoftuar qytetarin, të jenë mbyllur të gjitha fazat e ankimimit të qytetarit dhe të jetë marrë një vendim i formës së prerë.

Nuk mund të hiqen më shumë se 15 pikë njëkohësisht dhe heqja e pikëve lejohet vetëm në momentin kur nuk është marrë vendim për pezullimin e lejes së drejtimit.

Në rastet kur drejtuesi i mjetit humbet të paktën 3 herë brenda një viti, ku ka si penalitet më shumë se 5 pikë në çdo shkelje, atëherë ky drejtues automjeti duhet t’i nënshtrohet rinovimit të patentës në afat brenda 30 ditësh, njësoj si drejtuesit e mjeteve që kanë 0 pikë në lejen e tyre.

Shtimi i pikëve:
Shtimi i pikëve bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor kur drejtuesi i mjetit nuk ka bërë një shkelje të normave të sjelljes të cilat çojnë në heqjen e pikëve për një periudhë dy vjeçare.

Në rast se drejtuesi i mjetit ka 20 ose më shumë pikë në rregjistrin e kombëtar, ai përfiton 2 pikë shtesë dhe nuk mund të kalojë nivelin e 30 pikëve në total. Në rast se drejtuesi i mjetit në regjistrin kombëtar ka më pak se 20 pikë por më shumë se 0 pikë, atëherë numri i pikëve bëhet në mënyrë automatike 20 pikë.

Në rastet kur drejtuesi i mjetit i nënshtrohet një testimi për arsyeje se ka 0 pikë ose për shtesë kategorie dhe ka më pak se 20 pikë, atëherë numri i pikëve të tij në rregjistrin kombëtar bëhet 20 pikë automatikisht.